Bashkimi Evropian ka reaguar menjëherë duke shprehur shqetësim për tensionet që ditët e fundit janë ndezur shumë në pjesën veriore të kosovës. BE thotë se i konsideron këto tensione, rezultat të veprimit nga të dyja palët. “Kjo është natyrisht shumë serioze dhe është pikërisht rezultat i përshkallëzimit, të cilin po e shohim javëve të fundit. Është po ashtu vërejtje se si veprimet e të dyja anëve çojnë deri te kjo situatë” tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti. “Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, tashmë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës, pas dorëheqjeve masive. Italia, për shembull, ka dërguar përforcime para disa javësh. Kemi thënë në deklaratat tona se EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë që ndihmon Policinë e Kosovës, por ky mision nuk mund të kompensojë 100 për qind hapësirën e mbetur bosh që është krijuar me largimin e policëve me përkatësi etnike serbe”. Sipas këtij burimi, EULEX-i është duke bashkëpunuar në terren edhe me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe në përmbushjen e obligimeve të tyre që dalin nga marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësim të BE-së në Bruksel. Blloku evropian ka thënë po ashtu se palët duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që çojnë deri te tensionet në Kosovë dhe që të gjitha mospajtimet t’i adresojnë përmes dialogut.