Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike që të ulen në dialog dhe të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.
Haxhiu tha se tensionet dhe përplasjet e fundit në Kuvend e bëjnë edhe më të nevojshëm dialogun politik, duke theksuar se edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhen me nevojën për takime dhe marrëveshje ndërmjet subjekteve politike.
Ajo u kërkoi partive të mos thellojnë bllokadën institucionale, por të punojnë për një zgjidhje që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit të Kosovës për një mandat të plotë pesëvjeçar.
“Le të ulemi seriozisht, le të flasim për një marrëveshje që nuk çon te bllokada, nuk çon te zgjedhjet e parakohshme. Nuk kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme sepse kemi shumë punë përpara”, tha Haxhiu.
Duke folur për pretendimet për shkelje të Kushtetutës, ajo tha se interpretimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që çdo pretendim për shkelje ta dërgojnë në këtë institucion.
Haxhiu paralajmëroi se kalimi i afateve pas konstituimit të Kuvendit mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
“Prioritet është marrëveshja. Para marrëveshjes janë takimet, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime”, deklaroi ajo.
Në fund, ushtruesja e detyrës së presidentes u kërkoi partive që t’i bëjnë të qarta qëndrimet e tyre dhe të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës institucionale.









