Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se përgjegjësia për formimin e qeverisë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, ndërsa zgjedhja e presidentit duhet të jetë rezultat i një bashkëpunimi të gjerë politik dhe jo vetëm i një subjekti.
Pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, Kurti tha se është i interesuar që përmes konsultimeve me partitë parlamentare të arrihet një marrëveshje për konstituimin e plotë të institucioneve të reja, duke përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidentin.
“Nëse unë, si fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i Vetëvendosjes, kam përgjegjësinë për formimin e qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Presidenti duhet të zgjidhet përmes bashkëpunimit me të tjerët”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se pikënisja e këtij procesi duhet të jetë gjetja e një figure konsensuale, jashtë përkatësive partiake, me integritet dhe autoritet të dëshmuar.
“Sipas nesh, presidenti duhet të jetë një figurë që nuk i përket asnjë partie politike, që është përtej polemikave të skenës aktuale politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale dhe qytetare. Vetëm një figurë e tillë mund të jetë shprehje e unitetit që e kërkon Kushtetuta”, u shpreh ai.
Kurti vlerësoi si konstruktiv takimin me kreun e PDK-së dhe njoftoi se gjatë ditës do të zhvillojë bisedime edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai u bëri thirrje tri partive më të mëdha parlamentare të bashkëpunojnë për konstituimin e institucioneve, duke theksuar se së bashku disponojnë 93 deputetë, numër që, sipas tij, është i mjaftueshëm për ta çuar përpara këtë proces.
Ai shtoi se, megjithëse ende nuk ka rezultate konkrete nga konsultimet, atmosfera ka qenë konstruktive dhe shprehu shpresën se dialogu do të vazhdojë, në mënyrë që vendi të ketë sa më shpejt Kuvendin e konstituuar, qeverinë e re dhe presidentin e ri.
Kurti komentoi edhe refuzimin e kreut të AAK-së, Ardian Gjini, për t’u takuar me të, duke vlerësuar se dialogu ndërmjet partive është i domosdoshëm, pavarësisht nëse ato do të jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ritheksoi pas takimit se partia e tij do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.









