Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mandiq ka të drejtë legjitime për veprimet e tij, ne kemi të drejtë të anulojmë votën tonë për të sa më shpejt të jetë e mundur, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe njëherësh lider i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj ka komentuar faktin që kryeparlamentari Andrija Mandiq ka uruar Ditën antikushtetuese të Republikës Srpska.
“Veprime armiqësore ndaj Kroacisë, shtyrja e votimit për ambasadorin e Malit të Zi në Republikën e Kosovës, ndërhyrjet në punët e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës, marrëdhënie katastrofike me të gjithë fqinjët… Barometri 26 ishte varrosur qëllimisht, prandaj nuk pranova ta firmosja, sepse të bësh një gabim për herë të dytë me nënshkruesit është përgjegjësi e plotë”, ka thënë Gjeloshaj në një postim në rrjetin X.
Ai thotë se nuk ka më shtyrje afati dhe fshehje.
“Ka ardhur koha për të parë se kush është për BE-në dhe aleancën me SHBA-në dhe kush është kundër saj. Nëse Millojko Spajiq dhe Aleksa Beçiq do të heshtin për këtë dhe nuk do të ndërmarrin hapat e pritur, angazhimi i tyre do të konfirmohet qartë, por edhe vendimet tona, unike për të gjitha partitë e pakicave! Mandiq ka të drejtë legjitime për veprimet e tij, ne kemi të drejtë të anulojmë votën tonë për të sa më shpejt të jetë e mundur! Asgjë personale apo kombëtare, i urojmë fat në të dyja rastet, nuk ka bashkëpunim politik brenda shumicës parlamentare”, ka përfunduar Gjeloshaj.