ARKIVI SHTETËROR I MALIT TË ZI DHE SHQIPËRISË NËNSHKRUAN NJË MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

Foto: Arkivi Shtetëror i Malit të Zi / Državni Arhiv Crne Gore

Arkivi Shtetëror i Malit të Zi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Arkivin Shtetëror të Shqipërisë, e cila, siç thonë ata, hapi një kapitull të ri në zhvillimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale.

Ceremonia në ambientet e Arkivit në Cetinë ishte aktiviteti qendror i vizitës së delegacionit të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, i kryesuar nga drejtori Ardit Bido.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua nga drejtori i Arkivit Shtetëror të Malit të Zi, Danillo Mrvaleviq dhe Bido, përfshin shkëmbimin e njohurive profesionale, zbatimin e projekteve të përbashkëta, programet kërkimore dhe promovimin e materialeve arkivore me rëndësi për të dy vendet.

“Jam i sigurt se marrëveshja që kemi nënshkruar do të hapë mundësi të reja dhe do të rinovojë lidhjet tona të vjetra të rrënjosura thellë. Kemi mundësinë të realizojmë shumë projekte së bashku, duke filluar që nga viti i ardhshëm,“ tha Mrvaleviq.

Mrvaleviq theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëveshjeve të tilla në thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe profesional midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.

“Në këtë mënyrë jo vetëm përmirësojmë profesionin e arkivit, por thellojmë edhe njohuritë tona për popujt dhe vendet tona. Marrëveshjet si kjo e sotme kontribuojnë jo vetëm në lidhjen e arkivave, por edhe në forcimin e marrëdhënieve dhe afrimin e popujve tanë”.

Bido u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e marrëveshjes, duke theksuar rëndësinë e saj në nivel institucional, kulturor dhe arkivor.

“Jam i bindur se forcimi i këtij bashkëpunimi do të lejojë që materialet historike dhe kulturore të shohin dritën e ditës, ndërsa në të njëjtën kohë të përmirësojmë dhe konsolidojmë atë që kemi tashmë. Lidhja mes popujve tanë, komuniteteve në të dy anët e lumit Buna, si dhe jeta dhe vepra e figurave të mëdha të historisë së të dy vendeve, hapin mundësi të mëdha për projekte të përbashkëta. Bashkëpunimi në fushën kulturore është një hap i natyrshëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes arkivave tona”.

Në ceremoni të pranishmëve iu drejtua ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, e cila tha se kjo marrëveshje është “një dëshmi e re e vullnetit të mirë për thellimin e bashkëpunimit dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm”, duke hapur dyert për projekte të reja të përbashkëta, që do të shërbejë si model për bashkëpunimin rajonal.

SHARE