ZGJEDHJET NË SHBA, GARË E NGUSHTË PËR KONGRESIN

Pas zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara ende nuk dihet se kush do të ketë kontrollin e Kongresit amerikan, duke lënë të paqartë nëse republikanët do të marrin kontrollin nga demokratët e presidentit Joe Biden. Kongresi amerikan përbëhet nga dy institucione: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati amerikan. Sipas Associated Press, në Dhomën e Përfaqësuesve më shumë vende kanë fituar republikanët, gjithsej 190, kundrejt demokratëve që kanë marrë 154. Por, gara për Senatin amerikan është më e ashpër, pasi ajo mbetet ende e hapur në disa shtete kyçe. Demokrati John Fetterman ka shpallur fitoren në Pensilvani dhe nëse ai shpallet fitues në këtë shtet do të ishte një fitore e rëndësishme për demokratët në Senat. Sipas AP-së, me fitoren e Fettermanit, demokratët deri më tani kanë fituar 48 vende në Senat, kundrejt republikanëve që kanë një vend më pak. Ndërkaq, sa i përket vendeve në senat, garat në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada po konsiderohen se ende janë të hapura. Gara në Xhorxhia mund të shkojë në balotazh, që do të mbahej më 6 dhjetor, dhe ky shtet mund të jetë kyç për të përcaktuar balancën në Senat. Sondazhet kanë treguar para zgjedhjeve se ka pasur një rënie të vlerësimit për punën e Bidenit dhe votuesit kanë qenë të zemëruar për shkak të nivelit të inflacionit. Megjithatë, republikanët, kanë pritur të fitojnë shumicën në Senat. Megjithatë, nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane do të kenë numër të njëjtë të vendeve në Senat, atëherë demokratët do të marrin shumicën, për shkak të vendit të nënpresidentes amerikane, Kamala Harris. Edhe një shumicë të ngushtë e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkohë, do t’iu mundësonte atyre të bllokonin prioritetet e Bidenit. Mbi 46 milionë amerikanë kanë votuar para ditës së zgjedhjeve, qoftë përmes postës, apo votimit në qendra të votimit. Por, zyrtarët shtetërorë zgjedhorë kanë paralajmëruar se numërimi i këtyre votave do të marrë kohë.

SHARE