Petulla të Fshira të Furrës

Petullat e fshira në furrë janë një pjatë e parë shumë e veçantë, sidomos nëse kombinohen me produkte të stinës me gjizë dhe kunguj të njomë.

Perfekte për t’u shërbyer në një drekë familjare apo në raste speciale pasi ka një shije të mrekullueshme.

Mbushja e butë me petët krokante janë një kombinim perfekt që mbledh tavolinën.

Në këtë shkrim AgroWeb.org ju tregon hap pas hapi se si t’a përgatisni këtë recetë të mrekullueshme.

Përbërësit

  • 3 vezë
  • 220 gr miell
  • 500 ml qumësht
  • 30 ml vaj ulliri
  • 70 gr djath kaçkavall ose i bardhë
  • kripë

Për mbushjen

  • 450 gr gjizë pa kripë
  • 350 ml beshamel
  • 2 kungulleshka
  • 70 gr djath kaçkavall i grirë
  • 30 gr gjalp
  • kripë

Përgatitja

Për nisjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përgatitjen e brumit të petullave.

Në një enë të thellë shtoni vezët, qumështin, vajin dhe një majë luge kripë.

Trazojini mirë të gjithë këta përberës dhe me anë të një luge shtoni pak nga pak miellin.

Përzieni mirë me tel kuzhine derisa të formohet një masë e trrashë brumi, si brumi i krepave.

Ndërkohë vini në zjarr një tigan të cekët dhe të gjerë duke i shtuar fare pak gjalpë.

Më pas me anë të një luge të madhe hidhni një pjesë të brumit në tigan në mënyrë që të përgatisni petën e parë.

Bëni kujdes t’i lini disa minuta nga secila anë për të mos i lënë të digjen apo çahen gjatë gatimit.

Veproni kështu më të gjithë sasinë e brumit që keni në enë.

Formoni petë të holla si ato të krepave, dhe gatuajini derisa të marrin një pamje të artë.

Në një enë tjetër përgatisni mbushjen për petët, shtoni gjizën pa kripë dhe kungulleshkat të cilat duhet t’i grini me rende në fije të holla.

Përziejini mirë me anë të një piruni dhe shtoni djathin e grirë kaçkavall dhe pak kripë, sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak arrë moskat.

Kthehuni tek petët e përgatitura më parë dhe filloni me mbushjen e tyre.

Shtoni 1-2 lugë nga mbushja me gjizë në qendër të petës dhe paloseni atë në formë katrore duke përkulur të gjitha anët për nga brenda.

Me këto masa do të dalin mesatarisht 8-9 petulla të mbushura.

Zgjidhni një tavë mesatare për pjekje dhe vendosni njëra pas tjetrës.

Vendosini duke i mbështetur ato tek njëra tjetra pasi nuk do të ngjitën.

Hidhni sipër salcën beshamel, djathin kaçkavall të grirë dhe gjalpin.

Për pjekjen

Ndizni furrën në temperaturën 190 gradë dhe vendoseni tavën të piqet për 20-25 minuta.

Kontrollojini herë pas here derisa të marrin një pamje të artë dhe të jenë krokante.

Sapo të jenë gati mund t’i servirni si të ngrohta ashtu edhe të ftohta apo t’i mbani në frigorifer edhe për disa ditë./AgroWeb.org

SHARE