KURTI: KUVENDI I KOSOVËS KALON TESTIN E DEMOKRACISË

Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës ka hyrë në fuqi sot, pasi është publikuar në Gazetën Zyrtare. Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se me miratimin e Rregullores së re të Punës Kuvendi i Kosovës ka kaluar testin e demokracisë. Rregullorja e re e Kuvendit u miratua me 81 vota për, e procesi i rishikimit për të ardhur deri tek kjo rregullore daton që nga viti 2012. “Jam i lumtur që në mandatin tonë, pas 10 vjet bllokimi, Kuvendi po bëhet me Rregullore të re shumë më të avansuar. Më 28 korrik u votua me 81 vota për, andaj sot ajo hyn në fuqi, meqë publikohet në Gazetën Zyrtare”, ka thënë Kurti. Sipas tij miratimi i Rregullores vjen pas një përpjekjeje të gjatë të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar rregullat e funksionimit të institucionit më të lartë. Procesi i rishikimit të Rregullores kishte filluar në vitin 2012 dhe kishte vazhduar në secilën legjislaturë, me qëllim të adresimit të problemeve të identifikuara që nuk funksiononin, por që pavarësisht nevojës e përpjekjeve, miratimi i saj nuk kishte ndodhur. “Miratimi gjithmonë ka qenë një sfidë politike për Kuvendin, për shkak se për miratimin e saj kërkohej një shumicë e kualifikuar e së paku 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kjo kërkonte një koncensus të gjerë të spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend. Për nga mënyra e votimit, Rregullorja e Kuvendit hyn në kategorinë e akteve më të rëndësishme të shtetit që miratohen nga Kuvendi, siç janë Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo ishte një përpjekje pothuajse 10 vjeçare, për të cilin punuan shumë deputetë, partnerë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile për disa legjislatura me radhë”, ka shkruar, ndër të tjera, Kurti.

SHARE