Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të partive opozitare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i ekzekutivit, Arlind Manxhuka.
Por, Manxhuka nuk tregoi për cilën datë është thirrur takimi, e as nëse ai do të mbahet ndaras apo së bashku.
Letra e Kurtit drejtuar kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës, Adrian Gjini vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit.
PDK dhe LDK po mbajnë mbledhje të kryesive partiake pasditen e 9 korrikut dhe eksponentët partiakë të dy partive thanë për gazetarët se pas takimeve do të dalin me qëndrime për ftesën e Kurtit.
Përparim Gruda i PDK-së tha se në bisedimet mes partive duhet që të përfshihet themelimi i të gjitha institucioneve. “Pa dialog politik, pa kompromis nuk mund të ketë formim të institucioneve”, tha ai.
Ajo që pritet pas certifikimit të rezultatit është konstituimi i Kuvendit, votimi i Qeverisë dhe presidentit të ri të Kosovës. Për këtë të fundit, vendi shkoi në zgjedhje, pasi muaj më parë partitë dështuan të arrinin konsensus rreth kandidatit.
Sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-ja e Kurtiti ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22 ulëse, LDK-ja 18 dhe Aleanca shtatë.









