BE PRITET TË HAPË TRE KAPITUJ TË RINJ NEGOCIUES PËR SHQIPËRINË

Shqipëria pritet të mbajë Konferencën e radhës Ndërqeveritare më 14 korrik.

Një zyrtar i Këshillit të Bashkimit Evropian i tha Top News se aktualisht në tryezën e punës të grupit COELA ndodhen tre kapituj të negociatave me Shqipërinë.

Bëhet fjalë për Kapitullin 25, që lidhet me shkencën dhe kërkimin, Kapitullin 26 për arsimin dhe kulturën, si dhe Kapitullin 30 për marrëdhëniet me jashtë.

Burime në Bruksel i thanë Top News se, nëse arrihet marrëveshje në grupin e punës COELA, dosja do t’i kalojë për shqyrtim grupit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, të njohur si COREPER.

Pas miratimit të pozicionit të përbashkët të Bashkimit Evropian për këta tre kapituj në COELA dhe më pas në COREPER, pritet të mbahet Konferenca Ndërqeveritare, e cila, sipas informacioneve, është planifikuar të zhvillohet më 14 korrik, në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Sipas burimeve në Bruksel, konferenca pritet të mbahet së bashku me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, për të cilat COREPER pritet gjithashtu të shqyrtojë çështjen gjatë mbledhjes së së premtes.

SHARE