Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se Serbia mund ta përsërisë agresionin terrorist në Kosovë, nëse nuk ndëshkohet për sulmin e vitit të kaluar në Banjskë.
Në 24 shtator 2023, grupe të armatosura serbësh sulmuan atje policinë e Kosovës duke vrarë një efektiv.
Prishtina e drejtoi gishtin e përgjegjësisë nga Beogradi, dhe mohimet e këtij të fundit, nuk e bindën asnjëherë.
Si një nga shtetet që nuk e ka mbështetur sanksionimin e Rusisë për luftën pushtuese në Ukrainë dhe vazhdon të kultivojë bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet si rrezik jo vetëm në Kosovë, por për krejt paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Kryeparlamentari i Kosovës i bëri këto komente gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp në Prishtinë me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer.
Ky është një paralajmërim i përsëritur nga ana e Konjufcës, i cili edhe në fillim të këtij muaji u përpoq të tërhiqte vëmendjen nga rreziku që vjen prej vendit fqinj, duke thënë se në Serbi po përgatiten për sulm ose provokim të mundshëm në Kosovë.
Nussbaumer nga ana e tij tha se Zvicra mbetet mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës.
„Vendi im është mjaft i shqetësuar tensionet ne veriun me shumicë serbe të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’i menaxhojnë ato dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.“
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçic, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, i cili besohet se është i lirë në Serbi.
Në raundin e fundit të bisedimeve të nivelit të lartë në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vuri dorëzimin e tij si kusht për vazhdimin e dialogut.