PROTESTA PËR ZVËRNECIN NË DITËN E NËNTË NË TIRANË

Protestuesit u mblodhën pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në ditën e nëntë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, për të marshuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi kërkojnë anulimin e projektit me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.

Edhe ditën e sotme protestuesit përsëritën thirrjen “Shqipëri e re” duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës sikundër edhe ndryshime ligjore si kufizimi i mandateve të kryeministrit apo edhe vendime të drejta nga sistemi gjyqësor.

Ende protesta nuk ka kërkesa të mirëfillta, ndërsa grupi koordinues ka vendosur foltoren përpara Kryeministrisë ku fjalën e merr çdo protestues që ka dëshirë por jo më shumë se për tre minuta.

Ditën e sotme në protestë ka pasur edhe përfaqësi të studentëve që me parullën “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët” kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“Duam drejtësi” dëgjohet thirrja e protestuesve kryesisht të rinj që më pas nisën marshimin drejt bulevardit.

“Zvërneci në grykë do ju ngeci” ishte thirrja më e fundit që doli në protestë. Po ashtu, protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të “Astirit” që sipas një protestuesi rezistoi me muaj të tërë derisa u shit nga Basha.

Grupi koordinues bëri thirrje që të mos preken flamujt e Izraelit të ngritur në bulevard për shkak të Javës Kulturore Izraelite. “Nuk kemi gjë me asnjëri veç dy pushtuesve”, u dëgjua në megafonin e protestës.

Në protestë u luajt dhe himni i flamurit që u këndua në kor nga të pranishmit.

SHARE