MICHEL VIZITON KOSOVËN JAVËN E ARDHSHME

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pritet të qëndrojë në Kosovë më 14 dhe 15 qershor, konfirmuan burimet evropiane në Bruksel. Ai po ashtu më 15 qershor do të qëndrojë në Maqedoni të Veriut dhe më pas do ta vizitojë edhe Malin e Zi. Ky është turneu i dytë i vizitave në Ballkanin Perëndimor që Michel ka zhvilluar, pasi në maj ai vizitoi Serbinë, Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Sipas burimeve evropiane, Michel gjatë vizitave në Ballkan do të bisedojë me liderët e shteteve për raportet e tyre me Bashkimin Evropian, për situatën në rajon pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për takimin e përbashkët të liderëve të BE-së dhe Ballkanit, që pritet të mbahet në Bruksel më 23 qershor. Pritet që kreu i Këshillit Evropian ta shfrytëzojë këtë vizitë edhe për të sqaruan idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane”, që ka thënë se do të bashkonte vendet e BE-së dhe shtetet evropiane që nuk janë në bllok, por që ndajnë vlera të përbashkëta.

SHARE