MILLATOVIQ: ANTIFASHIZMI ËSHTË THEMELI I SHTETIT MODERN MALAZEZ

Foto: predsjednik.me

Me rastin e 9 Majit – Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës – në Podgoricë u mbajt një ceremoni solemne në organizim të Presidentit të Malit të Zi Jakov Millatoviq, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komunën e Kryeqytetit.

Në kuadër të ceremonisë, Presidenti Millatoviq, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Dragan Krapoviq dhe kryetarin e Komunës së Podgoricës Sasha Mujoviq, vendosi një kurorë lulesh në Monumentin e Partizanit – luftëtarit në kodrën e Goricës, duke nderuar kujtimin e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore.

Në fjalimin e tij, Millatoviq u shpreh se 9 maji përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme në historinë botërore dhe kombëtare, kur u mposht ideologjia më e errët që ka njohur njerëzimi.

Ai theksoi se me pjesëmarrjen në këtë homazh, qytetarët konfirmojnë përkushtimin ndaj idealeve të lirisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor.

“Ky është gjithashtu moment për të kujtuar me respekt miliona viktima të pafajshme që humbën jetën nga krimet e kryera nga fashistët dhe nazistët. Lavdi atyre!”, u shpreh Presidenti.

Ai rikujtoi se gjatë katër viteve të luftës, edhe pse rëndë e goditur, Mali i Zi nuk u dorëzua.

“Nga çdo cep i vendit, gra e burra, të rinj e të moshuar, u ngritën kundër okupatorit, të shtyrë nga idealet e lirisë dhe drejtësisë”, tha Millatoviq, duke kujtuar gjithashtu rolin udhëheqës të Malit të Zi në lëvizjen çlirimtare në Evropën e pushtuar.

Presidenti përmendi me respekt emrat e disa prej figurave kyçe të rezistencës antifashiste, si Ivan Millutinoviq, Peko Dapçeviq, Jelica Mashkoviq dhe të tjerë, duke i quajtur simbol të një drite që ende ndriçon mbi Malin e Zi.

“Trashëgimia e tyre nuk është vetëm pjesë e historisë – ajo mbetet busull vlerash që duhet të na udhëheqë edhe sot”, shtoi ai, duke u shprehur personalisht krenar për kontributin e të parëve të tij në Luftën Nacionalçlirimtare dhe ndërtimin e Malit të Zi pas luftës.

Në një kohë kur bota përballet sërish me ndasi, konflikte dhe rritje të ekstremizmit, Presidenti bëri thirrje për ruajtjen e respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe tolerancës si parakushte për një shoqëri të drejtë dhe demokratike.

“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është rrugë e përkushtimit ndaj antifashizmit, demokracisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor. Gëzuar Dita e Fitores mbi Fashizmin! Rroftë Mali i Zi demokratik, evropian dhe antifashist!”, theksoi Presidenti Millatoviq.

SHARE