Makarona me Mish të Grirë

Padyshim që Italia është atdheu i makaronave. Spaghetti-it e famshme me shijen e tyre tunduese kanë magjepsur gjithë botën. E sigurisht, të gjithë jemi dakord me këtë fakt.

Por fantazia dhe mjeshtëria në kuzhinë i lë gjithmonë një shteg të hapur sfidës.

Receta shqiptare, e përkryer e makaronave me kima është rasti tipik kur shijet e kulinarisë së shteteve të ndryshme sfidojnë njëra-tjetrën.

Shumë vite më parë, përgatitja e makaronave me kima nga amvisat shqiptare sidomos gjatë periudhës së komunizmit dëshmonte mirëqenie.

Ky gatim special ishte ndër më të mirat që ofronin restorantet e asaj kohe, traditë që vijon edhe sot, megjithëse e kombinuar dhe e ndërthurur me recetat italiane.

Makaronat me kima kanë një shije të plotë dhe kombinohen në mënyrë të shkëlqyer me sallatat e freskëta të stinës sidomos sallatat jeshile, spinaq apo rukola.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e vjetër të traditës shqiptare të makaronave me kima, një mënyrë fantastike për ta përgatitur për gjithë familjen.

Përgatitja e Makaronave me Kima në Shtëpi

Përbërësit

  • Një pako makarona të gjata
  • 400 gramë mish të grirë
  • 4-5 kokrra domate të pjekura mirë
  • Një karrotë
  • Një kokërr qepë
  • Një thelpi hudhër
  • Gjysmë gotë me verë të kuqe (sipas preferencës)
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz
  • Djathë kaçkavall i grirë

Përgatitja

Në një tigan të thellë shtojmë vajin e ullirit, qepën e grirë hollë dhe karrotat e grira në kubikë të vegjël.

I kaurdisim derisa të zbuten. Shtojmë hudhrën e grirë hollë bashkë me mishin e grirë dhe vijojmë t’i kaurdisim. Më pas i shuajmë me pak verë të kuqe dhe e lëmë derisa të avullojë. Më pas shtojmë domatet e grira në rende si salcë, shtojmë kripën dhe piperin. I kaurdisim për pak dhe shtojmë 1-2 gota ujë dhe i lëmë të zjejmë derisa salca të bëhet e trashë.

Ndërkohë, në një tenxhere hedhim ujë, kripë dhe disa pika vaj ulliri dhe e vendosim në zjarr që të zjejë.

Në momentin që uji nis të zjejë hedhim makaronat dhe i lëmë të zjejnë për 8-9 minuta.

I heqim nga zjarri, i kalojmë në kullorëse dhe i bashkojmë me salcën e përgatitur.

I shërbejmë të ngrohta dhe i spërkasim sipër me djathë kaçkavall të grirë. /AgroWeb.org

SHARE