Më 9 maj 1945, kapitullimi i Gjermanisë naziste i dha fund Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Që atëherë, data e sotme festohet si Dita e Fitores, dhe festohet gjithashtu si Dita e Evropës.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me rastin e 9 majit – Ditës së Evropës.
“Kjo datë paraqet një mundësi të veçantë për të festuar arritjet e BE-së, por edhe për të promovuar unitetin, solidaritetin dhe barazinë midis demokracive evropiane. Dita e Evropës sivjet po festohet për të dytin vit radhazi në një atmosferë dhe kushte të veçanta të luftës që është kthyer në tokën tonë. Miliona refugjatë kanë hasur në dyert e hapura të vendeve të BE-së dhe Mali i Zi, si gjithmonë, qëndron fort në krahun e duhur dhe ofron ndihmë për të gjithë ata që kanë nevojë”, thuhet në mesazhin e urimit të kryeministrit Abazoviq.
Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka dërguar një mesazh urimi me rastin e 9 majit, Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës, për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.
“Në emër të Kuvendit të Malit të Zi dhe në emrin tim personal, uroj 9 majin, Ditën e Fitores mbi Fashizmin dhe Ditën e Evropës, data të njohura jo vetëm në historinë evropiane por edhe në atë botërore. I uroj të gjithë qytetarët Ditën e Evropës dhe Ditën e Fitores mbi Fashizmin, të bindur se vetëm duke promovuar paqen, lirinë, sigurinë dhe drejtësinë sociale si vlerat më të mëdha civilizuese mund të bëhemi pjesë e klubit të vendeve më të suksesshme në botës dhe t’u sigurojmë qytetarëve tanë një jetë më të mirë, dhe brezave që do të vijnë një vend më të sigurt dhe më të pasur në të cilin do të qëndrojnë dhe me të cilin do të krenohen”, thuhet në urimin e kryetares së Parlamentit, Gjuroviq.
Mali i Zi ka nevojë të dëshpëruar për unitet dhe solidaritet si kusht që ai të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane, tha presidenti i sapozgjedhur Jakov Millatoviq.
“Prandaj dua të dërgoj edhe një mesazh bashkimi dhe solidariteti, për të cilin Mali i Zi ka nevojë sot, si kusht i domosdoshëm për t’u bërë sa më shpejt pjesë e familjes evropiane. Kjo do të jetë dëshmia më e mirë e këmbënguljes së idesë së antifashizmit tek ne”, tha Millatoviq.