Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, 9 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se objektivi kryesor i këtij grupi do të jetë avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë. Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje urgjente, duke përmendur pushtimin rus në Ukrainë. Ministrja e Jashtme do të jetë kryesuese e këtij grupi, kurse anëtarë do të jenë ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Drejtësisë.