Këshilli qendror i Frontit Demokratik, ka vendosur të mbështesë Mlladen Bojaniq ,si kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, deklaroi lideri i Frontit Demokratik Andrija Mandiq,kurse Bojaniqin më parë e kishin mbështetur edhe Mali i Zi Demokratik dhe Lëvizja Qytetare URA.
“Ne duam, si kryesi e FD-së, të bëjmë një bisedë shtesë me Mlladen Bojaniq dhe të përfitojmë nga kjo mundësi t’ju themi se opozita në Mal të Zi, është bashkuar dhe se qytetarët e respektuar do të kenë një kandidat pas të cilit ne të gjithë do të qëndrojmë dhe do të kemi presidentin e ardhshëm të Malit të Zi”, deklaroi Mandiq.
Ai falënderoi Millka Tadiq Mijoviq dhe Andrija Joviqeviq të cilët hoqën dorë nga kandidatura presidenciale, ndërsa pjesës tjetër të opozitës i bëri thirrje të mbështesin Bojaniqin dhe të tërheqin kandidaturat e paralajmëruara.
Kujtojmë se, deri më tani, në garën presidenciale kanë hyrë kandidati i pavarur Vasillije Milliçkoviq, lideri i Drejtësisë së Malit të Zi, Marko Millaçiq dhe kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit në Malin e Zi , Hazbija Kallaç.
Kandidaturën e kanë paralajmëruar, por ende nuk e kanë dorëzuar, zëvendëskryetarja e Partisë Social Demokratike Draginja Vuksanoviq, shkencëtari Dragan Hajdukoviq, lideri i Malit të Zi të Bashkuar Goran Danilloviq dhe profesori Gjorgjije Bllazhiq.
Nga Partia Demokratike e Socialistëve, kumtuan se emrin e kandidatit për president do ta bëjnë javën e ardhshme. Ndërsa Lideri i Partisë Socialiste Popullore, Vlladimir Jokoviq, deklaroi se beson që organet partiake do të përkrahin Mlladen Bojaniq, për kandidat presidencial të opozitës.
Jokoviq tha se PSP-ja, që nga fillimi është angazhuar për një kandidat të përbashkët jo-partiak, të cilin do ta mbështetnin të gjitha partitë opozitare dhe mendon se kjo është zgjidhja më e mirë.
“Shumica e partive opozitare do të mbështesin Bojaniqin dhe mendoj se PSP-ja, do të veprojnë ashtu si edhe Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare Ura. Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, do të mbahen më 15 prill 2018.