Foto: president.al
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, e nisi me komunat shqiptare, Tuzin e Plavë- Gucinë, vizitën zyrtare dyditore në Malin e Zi, ku iu rezevua një pritje vëllazërore dhe ceremoni festive.
Në Tuz, ansambli “Besa” e priti Presidentin e Republikës së Shqipërisë me “Vallen e Mejdanit” në sheshin ku ngrihet monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeu.
Presidenti Begaj vendosi një kurorë me lule në monumentin e Skënderbeut, të vendosur në këtë shesh më 28 Nëntor të vitit të shkuar për festën e flamurit dhe u përshendet me qytetarët.
Më pas zhvilloi një takim me drejtues të Tuzit dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve në institucione, me të cilët diskutoi për forcimin e pozitave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe rajon, si dhe angazhimin e përbashkët për të mirën e tyre.
Kreu i Shtetit inkurajoi drejtuesit e Tuzit të vazhdojnë përpjekjet për ruajtjen e identitetit, ndërsa garantoi mbështetjen e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, duke u shprehur se kjo është një përparësi për institucionet shqiptare.
![](https://tvboin.com/wp-content/uploads/2025/02/DFB7C684-B60D-475A-A682-181B21898593.jpeg)
![](https://tvboin.com/wp-content/uploads/2025/02/DFB7C684-B60D-475A-A682-181B21898593.jpeg)
Edhe në takimin me veprimtarët shqiptarë të Plavës e Gucisë, Presidenti i Republikës, ndërsa u njoh me problematikat që ata hasin, theksoi nevojën e gjetjes së rrugëve për të ruajtur dhe forcuar identitetin shqiptar përballë çdo lloj sfide, siç është emigrimi apo asimilimi i shqiptarëve autoktonë.
Presidenti përgëzoi shqiptarët që kanë ruajtur gjuhën dhe shqiptarinë, si dhe shprehu vullnetin për të ndjekur projektet zhvillimore ndërkufitare që do të ndikonin në ekonominë e këtyre trevave, ndërsa theksoi rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e këtij takimi për trajtimin e çështjes shqiptare dhe vijimësinë e kontakteve të tilla, në menyrë që komunikimi të institucionalizohet edhe përmes ndërtimit të infrastrukturës lidhëse mes njëri-tjetrit.
“Çështja kombëtare, duhet të dominojë mbi çdo interes politik, për faktin se është më e rëndësishme dhe gjithashtu duhet të punojmë fort të mbrojmë gjuhën shqipe”, – u shpreh Presidenti Begaj: “Interesi ynë i përbashkët është që të mbrojmë ADN- në tonë dhe ADN-ja jonë është e lidhur me gjuhën. Ju thatë se askush nuk është i ndalur në shkollë që të mësojë shqip, por duhet që ne të promovojmë më shumë, të trashëgojmë më shumë, të kultivojmë më shumë. Kjo arrihet me kontributin e çdo individi shqiptar që jeton këtu, fëmijë, të rinj, të rritur, pleq të mençur, të cilët duhet të bëhen bashkë për atë që është e rëndësishme për ne”.
Presidenti i Republikës u zotua se një mesazh të tillë do t’i përcjellë edhe homologut të tij, Milatovic, për zhvillimin e këtyre zonave, në menyrë që të rinjtë të gjejnë mundësi pune këtu, që rinia shqiptare të mos ikë në emigrim, por të jetojë në trojet e të parëve.
Presidenti Begaj, premtoi shqiptarëve në Mal të Zi se personalisht dhe si President i Republikës do të jetë në dispozicion të tyre në shërbim të interesave madhore kombëtare dhe gjithashtu i siguroi ata që kanë e do të kenë vëmendjen e shtetit shqiptar.