PASOJA DRAMATIKE NGA MOTI I KEQ NË GREQI! 8 VIKTIMA, QINDRA TË BLLOKUAR PA USHQIM

Me mjete të posaçme qindra efektivë të ushtrisë greke evakuojnë banorët vendas nga komuna e  përmbytur e Palamas.

Janë qindra njerëz që kanë mbetur të bllokuar pa ushqim dhe ujë për të tretën ditë,me rrezik për jetën,  në Greqinë qendore pas stuhisë shkatërruese Daniel  që ka lënë pas të paktën 7 viktima dhe ka shkaktuar miliarda euro dëme.

Fenomeni i tejskajshëm sipas meteorologëve është më ekstremi që ka goditur vendin në 90 vitet e fundit. Qindra shtëpi janë shkatërruar apo përmbytur  nga ujërat dhe balta që kanë sjellë lumenjtë, disa ura janë shembur, rrugët janë shndërruar në liqene, linjat e energjisë elektrike janë shkatërruar, uji i pijshëm mungon në shumë zona dhe dëmet në kulturat bujqësore janë të pallogaritshme për zonën më prodhimtare bujqësore të Greqisë që përfshin prefekturat e Kardhitsës, Larisës, Trikalës dhe Volosit.

“Fatkeqësi tragjike, mjerim, dhimbje, pikëllim, tragjedi. Po vuajmë dhe do të vuajmë për një kohë shumë të gjatë. Dëmet që kemi pësuar të gjithë në shtëpitë tona janë të pariparueshme. Vlera e një jete pune  humbi brenda dy orëve , u shkatërrua plotësisht”.-shprehet Charalampos Tsergas, banor i Palamas.

Pas daljes nga shtrati të lumit Pinio në orët e para të mëngjesit në shumë lagje të Larisës uji u rrit me shpejtësi duke  mbuluar shtëpi, e biznese dhe duke detyruar banorët të largoheshin .

Brigadat zjarrfikëse , repartet e shpëtimit dhe ushtria po punojnë me të gjitha kapacitetet për të evakuuar banorët që nuk kanë mundur të largohen dhe presin ndihmë në tarracat apo ballkonet e kateve të sipërme të shtëpive të tyre.

SHARE