Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë ku vlerëson se Serbia po ngec në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shkak të përkeqësimit të sundimit të ligjit, demokracisë dhe mungesës së harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Eurodeputetët theksojnë se Beogradi nuk ka përmbushur shumicën e detyrimeve të marra për avancimin e negociatave, ndërsa i bëjnë thirrje autoriteteve serbe të dëshmojnë me veprime konkrete përkushtimin ndaj vlerave evropiane.
Rezoluta kritikon gjithashtu marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Moskës, si dhe shqetësimet për ndikimin rus, dezinformimin dhe forcimin ushtarak të vendit.
Parlamenti Evropian rithekson se negociatat e anëtarësimit mund të përparojnë vetëm nëse Serbia shënon rezultate të matshme në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, zgjedhjet demokratike dhe harmonizimin e plotë me politikën e jashtme të BE-së.
Rezoluta nuk është juridikisht detyruese, por përbën një sinjal të qartë politik për autoritetet serbe dhe vjen në kohën kur në Bruksel po diskutohet mundësia e vazhdimit të negociatave të anëtarësimit me hapjen e Kapitullit 3.









