Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, njoftoi për ndarjen e ulëseve në Kuvend sipas rezultateve përfundimtare: “Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 18 ulëse, Lista Serbe – 9 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7 ulëse”, tha ai.
Ai bëri të ditur se nuk ka pasur më asnjë obligim për KQZ-në nga vendimet e Gjykatës Supreme, pasi të gjitha ankesat e paraqitura janë refuzuar. Radoniqi njoftoi gjithashtu se nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) është konfirmuar se nuk ka ankesa të mbetura në shqyrtim.
Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve i hap rrugë formimit të institucioneve të reja.
Pas certifikimit, Kuvendi duhet të mblidhet brenda 30 ditësh për mbajtjen e seancës konstituive.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026, morën pjesë 21 subjekte politike, prej të cilave: 17 parti politike; 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për deputetë ishte 902 kandidatë.









