Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Shqipëri që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin, duke theksuar se respektimi i standardeve demokratike është thelbësor për avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian.
Në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE në Strasburg, Clive Rumbold, përfaqësues i Divizionit për Zgjerimin në Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, por u ndal edhe te protesta që ka hyrë në muajin e dytë.
Ai theksoi se BE-ja inkurajon të gjithë të përfshirët të ruajnë qetësinë dhe të garantojnë që protestat të zhvillohen në kushte të sigurta, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për tubim dhe shprehje të lirë.
Sipas tij, Delegacioni i BE-së në Shqipëri po ndjek nga afër situatën dhe ka qenë i angazhuar në terren që nga fillimi i protestave. Rumbold u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit, duke përmendur hetimin e SPAK-ut për çështjen e pronave në Zvërnec.
Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga shtyllat kryesore të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe kërkoi që hetimet të vazhdojnë pa pengesa.
Po ashtu, ai shprehu pritjen që Shqipëria të realizojë një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis sipas standardeve më të larta dhe të përmbushë zotimin për rishikimin e ligjit për investimet strategjike deri në fund të vitit.
Në përfundim, Rumbold nënvizoi se dialogu ndërmjet të gjitha palëve mbetet rruga më e mirë për zgjidhjen e çështjeve dhe për vijimin e reformave që afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.









