SHQIPËRI-MAL I ZI, PROJEKTE PËR ENERGJINË E INFRASTRUKTURËN

Energjia, gazifikimi dhe transporti ishin në fokus të diskutimeve mes ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe zv.kryeministrit të Malit të Zi gjatë një takimi në Podgoricë. “Kemi diskutuar për gjithçka të rëndësishme që lidh dy vendet tona duke nisur fillimisht nga energjia, nga planet për gazifikimin e Shqipërisë dhe gazifikimin e Malit të Zi të cilat mund të bashkohen në një projekt më të madh, por sigurisht duke rivitalizuar projektin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, një nga veprat më të rëndësishme që do të kemi në të ardhmen. Jemi angazhuar që të dyja qeveritë për të nisur nga puna menjëherë edhe për të nisur një punë edhe me partnerët e tjerë të këtij bashkimi, siç është Kroacia apo Bosnja Hercegovina”. Edhe zv.kryeministri i Malit të Zi konfirmoi thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe shtetit fqinj në projektet e përbashkëta. “Patëm një bisedë konstruktive se si të thellojmë bashkëpunimin, sepse vetëm bashkë mund të krijojmë një përgjigje cilësore ndaj të gjitha sfidave që dalin para nesh. Natyrisht, një nga temat kryesore, ishte për gazsjellësin Adriatiko-Jonian, me rastin e të cilit shkëmbyem eksperiencat dhe treguam gatishmërinë për të përqendruar bashkëpunimin në këtë fushë, ku sa më shpejt, të bëjmë një hap cilësor dhe të jemi të gatshëm në periudhën e afërt për të qenë një urë, urë që ky gazsjellës të shkojë deri të vendet e Europës Perëndimore. Nga ana tjetër shkëmbyem eksperiencat mbi qarkullimin rrugor”. Korridori Adriatiko-Jonian, hekurudhat dhe ura e cila është marrë si një angazhim nga kryeministri Rama dhe nga kryeministri i Malit të Zi do të eliminojnë më shumë barrierat mes dy vendeve.

SHARE