KE: PROJEKTI NË ZVËRNEC MUND TË NDIKOJË NË RRUGËN E SHQIPËRISË DREJT BE-së

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin se projekti i planifikuar në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë mund të ketë ndikime mjedisore që bien në kundërshtim me procesin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Ditëve të fundit në Shqipëri janë mbajtur protesta kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, pranë Vlorës, mes shqetësimeve lidhur me ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, ka tërhequr vëmendjen se, në procesin e anëtarësimit në BE, si pjesë e standardeve përmbyllëse për negociimin e Kapitullit 27 mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Shqipëria pritet të përshtatet plotësisht me legjislacionin e bllokut evropian në këtë fushë.

Kjo, sipas tij, përfshin zbatimin e Direktivave për Shpendët dhe Habitatet, shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të miratuara përmes ndryshimeve në Ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike.

“Përveç kësaj, për të mbyllur Kapitullin 27, Shqipëria duhet të tregojë kapacitetin e saj për të menaxhuar vendet e ardhshme të Natura 2000 [v.j. rrjet për zonat e mbrojtura natyrore në BE], duke përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë përkeqësimin e habitateve dhe specieve. Shqipëria duhet të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë përmbushjen e standardeve të mbylljes”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënësit Mercier për Radion Evropa e Lirë (REL).

Megjithatë, zyrtarët evropianë pohojnë se shqetësimet e shprehura nuk janë të reja.

“Siç është theksuar tashmë në raportin tonë të fundit për Zgjerimin, zgjatja e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime lidhur me ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Ky zyrtar konfirmoi gjithashtu se shqetësime të ngjashme janë shprehur edhe pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Sipas Mercier, ministria u ka bërë të ditur bashkëbiseduesve evropianë se punimet e ndërtimit janë pezulluar dhe se për projektin do të kryhet një Vlerësim i Plotë i Ndikimit në Mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.

Ndërkaq, Agjencia për Media dhe Informim, pranë Qeverisë shqiptare, ka konfirmuar se për këtë çështje më 26 maj gjatë një takimi online me përfaqësues të KE-së, ministri shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj informoi se nuk ekziston një projekt përfundimtar i miratuar dhe nuk ka asnjë projekt në ndërtim.

“Ministri theksoi angazhimin e Shqipërisë për të garantuar se çdo projekt i mundshëm zhvillimi i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis, të zhvilluar në transparencë të plotë dhe në konsultim me publikun. Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE”, tha Qeveria shqiptare.

SHARE