Qeveria në seancën e sotme i ka dhënë pëlqimin Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidor për rregullimin e pensioneve me 2.95 për qind, që do të thotë se pas rritjes, rreth 40 mijë përdorues që marrin pensionin minimal do të kenë një pension prej rreth 282 euro.
“Për një harmonizim të jashtëzakonshëm nevojiten 9.6 milionë euro”, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Admir Adroviq.
Sipas ligjit është llogaritur një rritje prej 5.4 për qind dhe pas marrëveshjes së Qeverisë me 2.95 për qind shtesë, rritja arrin në 8.5 për qind.
“Në këtë mënyrë shuma e pensionit minimal që marrin pak më shumë se 40 mijë përfitues do të jetë 282 euro për momentin”, tha ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq.
Ai shpreson se me rregullimet që do të bëhen edhe dy herë gjatë vitit aktual, do të kalohet “shifra e famshme prej 300 eurosh”.
“Krahasuar me mesataren që tani është 375 euro, pas kësaj rritje të pensionit do të arrijmë në nivelin prej 405 euro, që sërish shkon drejt premtimit tonë se deri në fund të vitit do të bëjmë gjithçka që të bëjmë shumën e pensionit mesatar 60 për qind të të ardhurave mesatare, që do të thotë se shuma e synuar e pensionit mesatar do të ishte 465 deri në 470 euro”, tha Damjanoviq.