Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mbajti një fjalim në Forumin Ndërkombëtar për Migracionin në OKB, ku rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për një migracion të sigurt, të rregullt dhe të ligjshëm, të mbështetur në të drejtat e njeriut, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe fuqizimin e diasporës shqiptare.
Në fjalën e tij, Lamallari theksoi se Shqipëria është njëkohësisht vend origjine, tranziti dhe destinacion për migrantët, ndërsa migracioni vazhdon të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, si dhe në procesin e integrimit evropian.
Ai nënvizoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të Paktit Global për Migracionin dhe se ka bashkëpunuar ngushtë me Organizaten Ndërkombëtare për Migracionin dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për avancimin e politikave kombëtare në këtë fushë.
Sipas Lamallarit, Shqipëria ka bërë progres në tre drejtime kryesore: forcimin e politikave të bazuara në të dhëna përmes Strategjisë Kombëtare për Migracionin 2024–2030, zgjerimin e rrugëve të rregullta të migracionit dhe lëvizshmërisë së punës nëpërmjet bashkëpunimit rajonal dhe partneriteteve dypalëshe, si dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin human dhe të rregullt të migracionit.
Ai shtoi se vendi ka përmirësuar koordinimin institucional, menaxhimin kufitar dhe programet e kthimit dhe riintegrimit të migrantëve, duke vendosur fokus të veçantë edhe te angazhimi me diasporën shqiptare.
Në fund, Lamallari deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të investojë në politika të bazuara në evidencë, në zgjerimin e rrugëve të sigurta të migracionit dhe në forcimin e mekanizmave mbrojtës për migrantët, si dhe do të thellojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në këtë fushë.









