RUSIA KRYEN SULM TË MADH ME DRONË DHE RAKETA NË DISA RAJONE UKRAINASE

Zyrtarët ukrainas thanë mëngjesin e së mërkurës se ushtria ruse e ka goditur infrastrukturën e rëndësishme ukrainase në së paku gjashtë rajone gjatë një sulmi të madh gjatë natës.

Rusia i lëshoi më shumë se 20 dronë dhe raketa gjatë sulmit, sipas zyrtarëve. Sirenat për paralajmërimin e sulmeve ajrore u dëgjuan për disa orë në këto rajone, përfshirë në kryeqytetin Kiev.

Ata raportuan për dëme dhe shkatërrim të disa ndërtesave, por deri tani nuk raportohet për viktima.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, e cilësoi këtë si “një tjetër sulm i madh në industrinë tonë të energjisë” që u krye ndaj gjashtë rajoneve.

Ai tha se cak i sulmit ishte infrastruktura energjetike në rajonet Poltava, Kirovohrad, Zaporizhja, Lviv, Ivano-Frankivsk dhe Vinitsia.

Kryetari i administratës ushtarake në Poltava, Filip Pronin, tha se një zjarr u ndez si pasojë e një sulmi me dronë ndaj një objekti energjetik në këtë rajon.

Kryetari i administratës ushtarake në rajonin jugor, Zaporizhja, ku ndodhet termocentrali bërthamor më i madh në Evropë, tha se cak i bombardimeve ruse ishin “objektet e infrastrukturës civile dhe jetike”.

Në Lviv, në perëndim të Ukrainës, guvernatori tha se Rusia kreu sulm ndaj infrastrukturës jetike energjetike në qarkun Strihi dhe kundër një termocentrali në qarkun Çervonohrad.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Telegram se Rusia kreu sulme me së paku 50 raketa dhe 20 dronë.

Ai shtoi se sulmet ndodhën në Ditën e Përkujtimit dhe të Pajtimit, të cilën Kombet e Bashkuara e shpallën për nder të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore.

“E gjitha bota duhet ta kuptojë qartazi se kush është kush”, shkroi Zelensky. Ai e barazoi agresionin rus kundër vendit të tij me veprimet e Gjermanisë naziste që nxitën atë luftë.

SHARE