LISTA SERBE PARALAJMËRON BOJKOTIM TË VOTIMIT PËR SHKARKIMIN E KRYETARËVE NË VERI

Kryetari i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, Zlatan Elek, ka thënë se qëndrimi i kësaj partie është që të mos votojnë për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë më 21 prill.

Elek nëpërmjet një konference për media nga Mitrovica e Veriut, theksoi se janë vendosur procedura të parealizueshme për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve, sipas tij, nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti, sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha Elek.

Ai më tej tha se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

“Për dy muaj në të gjitha komunat numri i votuesve është rritur në mënyrë disproporcionale, për 433 për qind”, tha kryetari i Listës Serbe, duke mos dhënë dëshmi për pretendimet e tij për rritjen e listave të votuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të mbahet më 21 prill.

Këtë vendim KQZ e mori pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t’i hapej rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat e veriut, për shkak se serbët lokalë nuk i pranuan kryetarët shqiptarë.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

SHARE