Ushtria izraelite ka tërhequr të gjitha trupat tokësore nga Rripi jugor i Gazës, përveç një brigade.
Lajmin e konfirmoi për mediat ndërkombëtare një zëdhënës i ushtrisë së Tel Aviv-it këtë të diel, por pa dhënë detaje të tjera.
Është e paqartë nëse kjo tërheqje do të thoshte anulim të sulmit të paralajmëruar ndaj qytetit të Rafahut, të cilin e ka kundërshtuar ashpër edhe perëndimi.
Tërheqja vjen teksa Egjipti përgatitet të presë një raund të ri bisedimesh që synojnë arritjen e një armëpushimi në një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Në Tel Aviv po rritet ndërkohë presioni ndaj qeverisë.
Dhjetëra mijëra njerëz dolën sërish në rrugë kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilit i kërkohet t’i japë fund luftës dhe të gjejë një marrëveshje për lirimin e pengjeve nga Gaza.
Protestuesit kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Nuk munguan as përplasjet me policinë.
Këtë të diel mbushen 6 muaj nga sulmi i Hamasit që nisi luftën në Gaza.
Palët kanë planifikuar të takohen në Kajro për të tentuar të arrijnë një armëpushim.
Sulmet e Hamasit të 7 tetorit vranë rreth 1 200 izraelitë.
Pas ofensivës së Tel Avivit ndaj Gazës numërohen mbi 33 mijë viktima në radhët e palestinezëve, shumë prej të cilëve janë gra dhe fëmijë.