QEVERIA TË MARTËN PËR ZGJEDHJEN E USHTRUESIT TË DETYRËS TË DREJTORIT TË POLICISË

Seanca tematike e Qeverisë së Malit të Zi, ku e vetmja pikë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë, do të mbahet të martën më 12 mars.

Ish-ministri Zoran Milaniq ka thënë më herët se është mirë që është shpallur konkurs i brendshëm për ushtrues detyre të Drejtorit të Policisë dhe se ka disa kandidatë, prej të cilëve njërin do ta propozojë ministri i Brendshëm.

“Është e rëndësishme të merren vendimet e duhura në situatën që ka të bëjë me drejtorin e Drejtorisë së Policisë. Në momentin që drejtori nuk e ka besimin as të parlamentit dhe as të qeverisë, është e qartë se duhet gjetur një mënyrë për të gjetur një drejtor të ri dhe sigurisht drejtori i Drejtorisë së Policisë zgjidhet me konkurs,” tha Milaniq për Radion e Malit të Zi para disa ditësh.

Drejtori i shkarkuar i Drejtorisë së Policisë, Zoran Brgjanin, në një fjalim para opinionit tha se vendimi i Qeverisë për shkarkimin e tij është i kundërligjshëm dhe paralajmëroi një padi të re.

Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, ftoi të gjithë policët e interesuar që plotësojnë kushtet që deri më 10 mars të dorëzojnë aplikacione për ushtrues detyre të drejtorit të Drejtorisë Policore.

SHARE