Pilaf me Pulë dhe Qiqra

Pilafi është një nga recetat tradicionale më të dashura për Shqiptarët.

E pëlqejnë të mëdhenj e të vegjël dhe përveçse shumë i lehtë në përgatitje është i pasur me fibra të cilat janë një vlerë e vërtetë për organizmin.

Për ta bërë këtë pjatë edhe më interesante, AgroWeb.org ju këshillon të shtoni dhe disa përbërës të tjerë.

Me mish pule dhe qiqra, receta e orizit tuaj do të kthehet në një pjatë akoma më të plotë dhe të shijshme.

Ndiqni mënyrën e saktë të përgatitjes mëposhtë.

Përbërësit

Gjysmë pule

1 karotë

1 qepë

350 gr qiqra të gatëshme

2 lugë gjelle gjalpë

2 lugë gjelle vaj ulliri

200 gr oriz

500 ml lëng pule

250 ml ujë

2 lugë çaji kripë

Piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të zieni fillimisht pulën.

Në një tenxhere të thellë vendosni pulën e më pas shtoni ujë si zakonisht dhe lëreni të ziejë për disa minuta.

Ndërkohë qëroni karotat, qepën dhe lërini mënjanë dhe futini tek tenxherja ku ndodhet pula.

Pasi zierja të fillojë ulni pak nxehtësinë dhe vendosini kapakun tenxheres derisa pula të zihet plotësisht.

I gjithë ky proces nuk do të zgjasë më shumë se 30 minuta.

Më pas lëreni të ftohet dhe merrni mishin ndajeni nga kockat me kujdes ndërsa qepën dhe karotën mund ta lini mënjanë.

Shpëlani dhe kulloni qiqrat të cilat mund të zgjidhni t’i merrni në kanaçe gjysmë të gatëshme.

Në një tigan të thellë shtoni gjalpin bashkë me vajin dhe sapo gjalpi të shkrijë, shtoni orizin duke e përzier vazhdimisht me një lugë druri për disa minuta deris atë fillojë të skuqet.

Shtoni po aty qiqrat, mishin e pulës të ndarë në fije, lëngun e pulës, ujin, kripën dhe piperin e zi.

Ulni nxehtësinë, vendosni një kapak tek tigani dhe lëreni orizin të ziejë për disa minuta.

Kur orizi të ketë thithur ujin dhe të jetë zier, fikni zjarrin, përzieni dhe ndizeni furën sërish.

Lëreni orizin të ziejë me kapak edhe për 10 minuta të tjera.

Kur të jeni gati për ta shërbyer, kullojeni me lugë pak nga pak nëse ka mbetur ende ujë në tigan dhe në pjatë shërbejeni të thatë./AgroWeb.org

SHARE