PREZANTOHET PROGRAMI SWEET DECEMBER: MUND TË TËRHEQIM TURISTËT NGA I GJITHË RAJONI

Ulqini do të shëndrrohet në një destinacion feste, festat e fundvitit do të shënohen nga një sërë aktivitetesh që fillojnë nga data 15 dhjetor e deri me festat e Krishtlindjeve, është kumtuar nga Organizata Turistike e Ulqinit. Siç thuhet, në Plazhin e vogël, Bazari i Vitit të Ri me shtëpizat prej drurit do të jetë këndi qëndror i festave në të cilin do të shërbehen pije të ngrohta, ëmbëlsira, pije të ndryshme dhe gjellë tradicionale. Eventi i këtij viti do të organizohet disa netë para Vitit të Ri me një sërë koncertesh të bukura për të gjitha gjeneratat, kështu që të gjithë do të kenë mundësi të kënaqen dhe të shijojnë tingujt e muzikës tradicionale, pop, rock, jazz muzikës, ku do të performojnë interpretues të njohur nga vendi dhe rajoni. Të vegjëlit do të kenë programin e tyre i cili do të organizohet në bashkëpunim me institucionet parashkollore. Do të ketë shfaqe të ndryshme, koncerte, folklor, punëtori dhe një sëri aktivitetesh zbavitëse dhe sportive. Të gjitha këto poashtu në shetitoren në Plazhin e vogël.

“Besojmë se kemi eventin më të bukur që do ta ringjallë Ulqinin në këtë periudhë, me të cilin mund të tërheqim mysafirë nga i gjithë rajoni”, tha të mërkurën në prezantimin e programit të eventit “Sweet December”, kryetari i Ulqinit Omer Bajraktari dhe drejtori i Organizatës Turistike Qazim Hoxhiq. Siç theksuan ata, eventi do të fillojë më 15 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 10 janar, ku do të marrin pjesë një sërë yjesh të rajonit. “Duke qenë se të gjitha qytetet e tjera të bregdetit janë të fokusuar në natën e ndërrimit të viteve, ne besojmë se mund të bëjmë një punë të mirë dhe të dërgojmë mesazhe të bukura nga Ulqini”, tha Bajraktari. Hoxhiq shtoi se ngjarja do të kushtojë nga 80 deri në 90 mijë euro, dhe se gjithçka nuk mund të organizohej pa mbështetjen e Komunës.

SHARE