BE SHTON NDIHMËN PËR GAZAN / 25 MLN EURO PËR USHQIME DHE ILAÇE

Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion edhe 25 milionë euro të tjera si ndihmë humanitare për civilët në Rripin e Gazës.

Sipas të dhënave të presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, premtimet për ndihma aktualisht arrijnë një volum gjithsej rreth 100 milionë euro.

Gjithashtu po punohet, që të rritet numri i autokolonave me ndihma dhe për të mundësuar transportin edhe me anije. Një korridor detar nga Qiproja mund të garantojë afatgjatë lëvrimin rregullisht të ndihmave.

“Ne të gjithë si demokraci dhe si njerëz kemi përgjegjësinë, për të bërë ç’është e mundur që të mbrojmë civilët e rrezikuar”, theksoi von der Leyen.

Konkretisht ajo iu adresua edhe Izraelit, që ndërkohë si reagim ndaj ofensivës në shkallë të gjerë të Hamasit, ka bombarduar në masë objektiva në Rripin e Gazës.

“Izraeli ka të drejtë të luftojë kundër regjimit të Hamasit në Gazë. Por është gjithashtu e rëndësishme, që ai të përpiqet të shmangë viktimat civile, sepse ka prioritet çdo jetë njerëzore, qoftë izraelite apo palestineze”, tha ajo.

SHARE