Hurmashica

Është një ëmbëlsirë fantastike që të rrëmben shijen që në momentin e parë sapo e provon.

Hurmashicat janë biskota të përgatitura në shtëpi e të zhytura në sherbet. Receta e tyre është specialitet kryesisht i Shqipërisë së Veriut dhe në veçanti i Kosovës.

Kanë një shije fantastike, të shkrifëta dhe të buta, hurmashicat janë ideale për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së hurmashicave krej lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Biskotave me Sherbet në Shtëpi

Përbërësit

  • 400 gr miell
  • 2 vezë
  • 2 filxhanë kafeje vaj ulliri ose misri
  • 1 filxhan çaji me qumësht ose kos
  • 2 gota sheqer
  • 1 pako me pluhur pjekje (e gjeni në supermarket)

Për sherbetin

  • 700 gr sheqer
  • 1 litër ujë
  • Një kokërr limoni

Përgatitja e Sherbetit

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të përgatisni sherbetin.

Hidhni në një tenxhere sheqerin dhe ujin dhe vendoseni në zjarr që të ziejë. Kur të ketë nisur vlimin shtoni në të limonin e grirë në thela shumë të vogla ose fetëza të imëta.

Pasi masa të marrë formën e shurupin hiqeni nga zjarri dhe lëreni që të ftohet.

Përgatitja e Biskotave

Në një tas të thellë rrihni si fillim vezët dhe sheqerin, më pas shtoni vajin e ullirit ose të misrit dhe vijoni të rrihni masën derisa të bëhet e njëtrajtshme dhe kremoze.

Shtoni në të qumështin dhe në fund miellin dhe pluhurin e pjekjes.

Brumi punohet derisa të bëhet homogjen dhe të mos ngjitet në duar.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që brumin ta ndani në toptha shumë të vegjël, jo më të mëdhenj se një kokërr are.

Topthave u jepet forma e rrumbullakët apo ovale shtrihen me anë të një petësi u krijohen disa vrima në sipërfaqe më anë të një piruni dhe vendosen në tepsi të lyer me pak vaj.

Futen në furrë të parangrohur me 200 gradë dhe lihen të piqen derisa sipërfaqja e tyre të bëhet e kuqërremtë.

Ndërkohë, në momentin që fiksni sobën, biskotave ashtu siç janë të nxehta hidhuni gjysmën e sherbetit dhe 15 minuta më vonë hidhuni pjesën tjetër të sherbetit.

Hurmashicat shërbehen të ftoha dhe shoqërohen në mënyrë fantastike me arra ose bajame të thërrmuara sipër por edhe me akullore gjithashtu./AgroWeb.org

SHARE