Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë dështuar të arrijnë marrëveshje politike në një përpjekje të re në prag të mbarimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit deri në mesnatë, pas zgjedhjeve të qershorit.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, u takua për herë të katërt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, të premten, por që të dy thanë se dallimet në qëndrime dhe kërkesa mes tyre janë të thella, gjë që e bëjnë shumë të zorshme arritjen e një marrëveshjeje politike.
Mospajtimi kryesor mes tyre është posti i presidentit, të cilin e do me ngulm LDK-ja. Kurti – partia e të cilit i fitoi bindshëm zgjedhjet duke marrë 53 mandate – tha se “nuk kemi ende marrëveshje politike”.
“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, theksoi Kurti.
Duke folur për kërkesën e LDK-së, e cila siguroi 18 vende në Kuvend, për postin e presidentit, Kurti nënvizoi se “ne si LVV nuk mund të bëjmë marrëveshje që do ta zëvendësonte vullnetin e popullit dhe do ta deformonte rezultatin zgjedhor”.
“Në marrëveshje politike duhet ta pasqyrojnë raportin e vendeve që i kemi në Kuvend”, shtoi Kurti.
Ndërkohë, Abdixhiku tha se në takimet e tyre LDK-ja ka kërkuar që ajo ta propozojë emrin e presidentit, por “në këtë pikë nuk kemi pasuar pajtueshmëri”.
Abdixhiku paralajmëroi se partia e tij nuk ka vullnet për vazhdimin e bisedimeve, nëse nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin për president.
“Përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një përfaqësim nga LDK-ja, një emër që e bisedojmë bashkërisht me LVV… nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë me keqardhje them se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tepër për bisedime e takime”, shtoi ai.
Ai tha se oferta e deritanishme që LDK-ja ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa Ministri, “nuk është e mjaftueshme për të dhënë zgjidhje”.
Por, Kurti nguli këmbë se ai është i interesuar të bashkëqeverisë me LDK-në dhe “ata t’i kenë postet e tyre, prej postit të zëvendëskryeministrit dhe disa ministrive”.
Takimi mes tyre – i katërti deri tani – u zhvillua disa orë para se të përfundojë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.









