Foto: Adria.tv
Analisti ekonomik Mirza Mulleshkoviq vlerësoi se Mali i Zi, si ekonomi e vogël, nuk mund të prodhojë sasi të mjaftueshme ushqimi për nevojat e veta, por ka potencial të zhvillojë bujqësinë dhe të plasojë në treg produkte cilësore vendore.
Ai theksoi se qytetarët duhet të ndryshojnë zakonet e konsumit dhe të blejnë më shumë produkte vendase, duke zhvilluar atë që quhet “patriotizëm ekonomik”.
Qytetarët e intervistuar në Podgoricë thanë se zgjedhin produktet vendore kryesisht për shkak të cilësisë, por edhe për të mbështetur ekonominë e vendit.
Ata vlerësuan subvencionet për produktet e qumështit vendas, të cilat tashmë janë më të lira se ato të importuara, por theksuan se produktet malazeze duhet të jenë më të dukshme në markete dhe me çmime më të përballueshme.
Sipas Mulleshkoviq, shteti ka rol të rëndësishëm në përmirësimin e komunikimit me prodhuesit dhe në promovimin e produkteve vendore, duke u fokusuar te cilësia e tyre, e cila konsiderohet ndër më të mirat në treg. Ndërkohë, statistikat tregojnë se në Mal të Zi prodhohet vetëm një pjesë e ushqimit për nevojat e brendshme, ndërsa pjesa tjetër importohet.
Fondi blegtoral është në rënie, ushqimi organik ende nuk ka rol dominues dhe gjatë vitit 2025 janë hedhur rreth 50 mijë ton ushqime, ose 83 kilogramë për banor.










