KONTROLLE TË SHTUARA NË TUZ, KUNDËR 16 PERSONAVE JANË INICUAR PROCEDURA PËR NDËRTIM TË PALIGJSHËM

Foto: MDUP

Në territorin e komunës së Tuzit janë evidentuar dhjetëra objekte të ndërtuara pa leje ndërtimi, ndërsa ndaj 16 personave janë iniciuar procedura ligjore për ndërtim të paligjshëm, njoftoi Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore e Malit të Zi.

Personave të përfshirë u është shqiptuar masa e ndalimit të menjëhershëm të punimeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë vazhdimin e kontrolleve të shtuara edhe në periudhën e ardhshme.

Nga ministria bëhet e ditur se më 6 maj 2026 ka nisur një aksion i zgjeruar i mbikëqyrjes inspektuese me qëllim kontrollin dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje në territorin e Tuzit.

“Gjatë verifikimeve në terren janë evidentuar dhjetëra objekte, ndërsa që në ditën e parë janë proceduar 16 persona për kryerje të punimeve pa leje ndërtimi. Kundër tyre janë ndërmarrë procedurat e parashikuara me ligj dhe është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e punimeve”, thuhet në njoftim.

Ministria thekson se, në rast të vazhdimit të ndërtimeve ilegale, do të merren vendime për rrënimin e objekteve, sipas modelit të veprimeve të realizuara në Zhablak në fund të vitit 2025. Aksioni po realizohet në koordinim me zyrtarët e Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, përkatësisht sektorin për luftimin e kriminalitetit ekonomik, korrupsionit dhe krimeve ekologjike.

Nga ministria paralajmërojnë se kontrollet do të intensifikohen edhe më tej dhe se inspektorët ndërtimorë do të ndërmarrin masa administrative dhe ligjore ndaj të gjithë personave që kryejnë punime pa dokumentacionin e nevojshëm.

Gjithashtu, në bashkëpunim me policinë, ndaj shkelësve do të parashtrohen edhe kallëzime penale në përputhje me nenin 326a të ligjit.

Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore thekson se, në bashkëpunim me institucionet kompetente, do të vazhdojë zbatimin rigoroz të ligjit me qëllim mbrojtjen e hapësirës, parandalimin e ndërtimeve ilegale dhe ruajtjen e interesit publik.

SHARE