SHQIPËRIA MPOSHT SERBINË, EKSPORTUESJA E PARË NË KOSOVË, MBI 325 MLN EURO MALLRA

Shqipëria po përfiton ekonomikisht nga vendimet ndëshkuese të Qeverisë së Albin Kurtit ndaj produkteve serbe, si përgjigje për tensionet e nxitura nga Beogradi në veri të Kosovës.

Të dhënat e shkëmbimit tregtar të Kosovës, interpretuara nga Instituti GAP tregojnë se Shqipëria është partneri kryesor tregtar i Kosovës, ndërsa në vend të dytë është Maqedonia e Veriut.

Sipas të dhënave, Kosova importi nga Shqipëria mallra me vlerë 326 milionë euro përgjatë vitit të kaluar, ndërsa nga Serbia importet pothuajse u përgjysmuan, duke u ndaluar në 198 milionë euro.

Ekspertët e shpjegojnë këtë rënie me vendimin e Qeverisë së Kosovës në mes të vitit të kaluar për të ndaluar hyrjen në vend të mallrave serbe, si përgjigje ndaj rrëmbimit të tre policëve të Kosovës.

E njëjta masë u zbatua edhe pas sulmit terrorist në Banjskë dhe vrasjes së një polici të Kosovës. Kjo është hera e parë që Shqipëria kalon në partnerin kryesor tregtar të Kosovës pas 12 vitesh.

Të dhënat historike të Agjencisë së Kosovës për Statistika tregojnë se prej vitit 2013-të Serbia ishte partneri kryesor tregtar i Kosovës.

Volumi i mallrave që hynë në Kosovë nga Serbia kulmon në vitin 2017 me gati 450 milionë euro.

SHARE