SHBA, REZOLUTË PËR ARMËPUSHIM NË GAZA, KINA: LUFTA ATJE, TURP PËR CIVILIZIMIN

Shtetet e Bashkuara insistojnë për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, e pas dështimit të disa javëve përpjekjesh për gjetjen e kompromisit mes Izraelit dhe Hamasit në Egjipt, paraqitën një projektrezolutë të ndryshuar në Këshillin e Sigurisë të OKB-së.

Thelbi i saj është sërish kërkesa për një “pushimzjarri të menjëhershëm”. Në draftin e paraqitur për miratim në instancën më të lartë të OKB-së në Nju Jork, thuhet, se është e nevojshme “shpejt dhe urgjentisht një marrëveshje për armëpushim të menjëhershëm brenda gjashtë javësh në Rripin e Gazës dhe për lirimin e të gjithë pengjeve”. Projektrezoluta e parë e SHBA-së parashikonte një “armëpushim të përkohshëm” në luftën mes Izraelit dhe militantëve të organizatës palestineze Hamas.

Përpunimi i tretë i propozimit pasqyron tani fjalët e fundit të qarta të zëvendëspresidentes së SHBA-së, Kamala Harris. Që nga fillimi i luftës vitin e kaluar, SHBA si aleate e ngushtë e Izraelit ishin kundër fjalës “armëpushim” dhe vendosi tre herë veton ndaj projekrezolutave përkatëse. Por në kohën e një rritjeje të ndjeshme të numrit të viktimave civile dhe gjendjes emergjente të urisë që kërcënon njerëzit në Rripin e Gazës, vetë Washingtoni tani po e rrit presionin ndaj Izraelit. 14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë mund të kërkojnë ndryshime të projektrezolutës.

Është e paqartë, kur dhe nëse do të mund të arrihet një votim i saj. Kina gjithashtu kërkon sakaq të ndalohen menjëherë luftimet në territorin gjysmë të shkatërruar nga konflikti i nisur pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor. Pekini e përshkroi luftën në Gazë si “turp për civilizimin” . “Është një tragjedi e vërtetë që sot, në shekullin 21, kjo krizë humanitare nuk po mund të ndalet”, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi. Kina, historikisht ka qenë përkrahëse e kauzës palestineze.

SHARE