ABAZOVIQ: ZGJEDHJA E MINISTRAVE TË RINJ NUK ËSHTË NË REND DITE

Qeveria po punon me kapacitet të plotë dhe zgjedhja e ministrave të rinj nuk është në rend dite, tha kryeministri Dritan Abazoviq.

Këtë ai e tha para gazetarëve pasi vuri gurthemelin për ndërtimin e katër objekteve të reja në Administratën për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

I pyetur se a është morale që Qeveria, e cila në gusht është në mandat teknik, të vazhdojë deri në fund të mandatit, Abazoviq tha se nuk e di se ku mund të gjenden në Kushtetutë fjalët “mandat teknik”.

“Kush dëshiron të formojë qeveri le ta formojë, deri atëherë qeveria punon me kapacitet të plotë”, tha Abazoviq.

Duke u përgjigjur për qeverinë e re, ai tha se nuk ka koment dhe se zgjedhjet janë afër.

I pyetur për rindërtimin e qeverisë, ai tha se nuk do ta quante kështu “për arsye se diskutimet mes subjekteve të ndryshme politike janë për disa tema dhe qeveria nuk është preokupim qendror”.

Abazoviq tha se do të vazhdojë dialogun me të gjitha subjektet politike sepse duhet të gjenden zgjidhje.

“Do të shohim, zgjedhjet janë afër. Kush do që të bëjë qeveri le ta formojë dhe derisa të ndodhë kjo, qeveria punon me kapacitet të plotë. Nëse diçka ndryshon, ne jemi këtu të dorëzojmë”, tha Abazoviq.  

Ai ka thënë se zgjedhja e ministrave të rinj në Qeveri nuk është në rend dite.

I pyetur për mbështetjen e mundshme të URA-s nëse Andrija Mandiq dhe Millo Gjukanoviq janë në raundin e dytë, Abazoviq tha se nëse ajo parti trashëgon vlerat evropiane, atëherë në një situatë të tillë realisht nuk ka ndonjë ofertë.

SHARE