BE-ja THIRRJE PËR ULJEN E TENSIONEVE NË KOSOVË SI NEVOJË E DIALOGUT BEOGRAD-PRISHTINË

Pas rritjes së tensioneve me tërheqjen e serbëve nga institucionet shtetërore në Kosovë, Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për ulje të tensioneve duke rikujtuar obligimet e dialogut Beograd-Prishtinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka dhënë një deklaratë lidhur me tensionin e filluar pas mosmarrëveshjeve për përdorimin e targave të automjeteve në Kosovë.

“Zhvillimet e fundit pengojnë sigurinë në rajon dhe përtej saj si dhe rrezikojnë sukseset e arritura dhe punën e palodhur ndër vite në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale. Ka potencial për rritjen e mëtejshëm të tensioneve në terren. Ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës, që të përmbushin obligimet e tyre të ‘Dialogut‘ dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të kryer detyrat e tyre, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe qeverinë lokale”, thuhet në deklaratën ku të dyja palëve u bëhet thirrje që të distancohen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të shkaktojnë tensione të mëtejshëm.

SHARE