Këstet e para të parave pjesë e Planit të Rritjes prej 6 miliard euro priten të lëvrohen gjatë kësaj vjeshte.
Shtetet e rajonit tonë kanë paraqitur planin e reformave kusht për të marrë këto fonde financiare.
Vendimmarrja do të realizohet nga KE deri në fund të këtij muaji.
Edhe çështja e vendosjes se sanksioneve nga Rusia do të jetë në fokus kur të vendoset për paratë nga Plani i Rritjes, tha Komisioni Evropian.
Sipas zëdhënëses Ana Pisonero secili vend i Ballkanit Perëndimor do të duhet të shpjegojë, si pjesë e agjendës së reformave, se si synon të përparojë edhe në harmonizimin e politikës së tij të jashtme me politikat e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe sanksionet.
„Përafrimi me politikën e jashtme të përbashkët të BE-së përfshihet, si një qëllim specifik, në kontekstin e agjendave të reformave. Kjo do të thotë se vendet në agjendat e reformave do të duhet të japin një shpjegim se si këto masa dhe agjendat e tyre të reformave pritet të kontribuojnë kur bëhet fjalë për politikën e jashtme,“ tha zëdhënsja e KE-së.
Serbia është i vetmi vend nga Ballkani Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Deri më tani, Brukseli ka prezantuar 14 paketa sanksionesh kundër Rusisë. Vendet e tjera të rajonit kanë zbatuar të gjitha vendimet e BE-së në lidhje me Rusinë.
„Para se merret një vendimmarrje për fondet ne padyshim që do të konsultohemi me vendet anëtare. Pra, kjo ende nuk ka ndodhur. Procesi i vlerësimit për raportet e paraqitura është në vazhdim. Ju e dini se kjo mbështetje financiare do të varet nga zbatimi i suksesshëm i reformave, të kërkuara nga Komisioni Evropian,“ theksoi Pisonero.
Reformat lidhen me fushën socio-ekonomike dhe vlerat bazë te BE-se, duke përfshirë njehsimin me politikën e jashtme.
Është paketa më ambicioze e Bashkimit Evropian për rajonin, e cila synon të dyfishojë shifrat e nivelit ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor në dhjetë vitet e ardhshme.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën 2024 – 2027.
Është planifikuar të ofrohen gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit.
Nga kjo shumë, dy miliardë euro janë në formë granti ose granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.