PDK, LDK DHE ALEANCA KUNDËRSHTOJNË SHTYRJEN E SEANCËS KONSTITUIVE

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar të papërgjegjshme kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime politike, pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku pritej të propozohej emri për kryetar të Kuvendit.

Hamza tha se veprimi i LVV-së tregon mungesë serioziteti dhe përgjegjësie ndaj institucioneve të vendit.

Sipas tij, seanca ishte thirrur në përputhje me afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, por në vend të propozimit të emrit për kryeparlamentar, u zhvilluan diskutime politike dhe u kërkua shtyrje e vendimit.

“Po shihet se vazhdojnë sjelljet e papërgjegjshme në raport me institucionet. Në vend se të propozojnë emrin e kryetarit të Kuvendit, e shtyjnë këtë proces dhe Kosova vazhdon me vakum institucional”, ka deklaruar Hamza.

Edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, kritikoi zhvillimet në seancë, duke thënë se partia e tij nuk ka qenë pjesë e ndonjë marrëveshjeje apo skenari për shtyrjen e procesit.

Zemaj deklaroi se kërkesa për kohë shtesë nga Kurti rrezikon të çojë vendin drejt një krize institucionale, duke rikujtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton afatin prej 30 ditësh për formimin e Kuvendit.

Sipas tij, çdo vonesë e mëtejshme në konstituimin e Kuvendit mund të sjellë pasoja për funksionimin institucional të Kosovës.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e cilësoi moskonstituimin e Kuvendit si një taktikë politike për të fituar kohë.

Ai akuzoi Kurtin se po synon të sigurojë kontroll mbi institucionet kryesore të vendit.

Sipas Tahirit, çështja kryesore që kërkon zgjidhje nuk është vetëm formimi i qeverisë apo funksionalizimi i Kuvendit, por edhe zgjedhja e presidentit të Kosovës.

Tahiri tha se kërkesa për më shumë kohë është e pajustifikueshme, pasi sipas tij, Kurti ka pasur mjaftueshëm kohë për bisedime me partitë politike.

Ai paralajmëroi se zvarritja e procesit nuk i shërben interesit të qytetarëve dhe stabilitetit institucional të Kosovës.

SHARE