NGËRÇI PËR PRESIDENTIN NË KOSOVË, KURTI KËRKON KOHË PËR MARRËVESHJE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për të vazhduar bisedimet politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend ka deklaruar se bisedimet me partitë opozitare për çështjen e presidentit janë pezulluar për shkak të zhvillimeve brenda LDK.

Ai u shpreh se duhet dakordim sa më i gjerë për zgjedhjen e presidentit pasi nuk është e drejtë që Kuvendi të shkojë sërish drejt shpërndarjes dhe zgjedhjeve të parakohshme duke e cilësuar si një dëm ndaj vendit.

Kurti kërkoi kohë shtesë për tu dhënë një shans bisedimeve politike për marrëveshje për presidentin e ri të Kosovës.

“Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillmeve brenda LDK. Ne duam bisedime edhe me PDK dhe AAK. Na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues ashtu siç e kërkon kushtetuta për të cilën u betuam sot. Konstituimi nuk bën të jetë sërish drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme të dëmshme. Kërkojmë kohë shtesë që tu japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, tha Kurti.

Seanca u zhvillua me tensione dhe reagime nga radhët e opozitës, ndërsa miratoi më herët raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke konfirmuar vlefshmërinë e mandateve të 120 deputetëve.

SHARE