Komisioni Evropian do t’u paraqesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian një rekomandim me shkrim, sipas të cilit Serbia është e gatshme për hapjen e klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit, dhe do të rekomandojë që ky grup kapitujsh të hapet gjatë muajit korrik, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Bruksel.
Rekomandimi do të jetë në rendin e ditës të takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, i cili është caktuar të mbahet më 8 korrik.
Serbia tashmë është përfshirë në agjendën zyrtare të këtij takimi.
Sipas burimeve të njohura me përmbajtjen e dokumentit, Komisioni Evropian do t’i vlerësojë pozitivisht ndryshimet në ligjet e diskutueshme për gjyqësorin, të miratuara nga Serbia në fund të muajit qershor.
Burimet e Radios Evropa e Lirë bëjnë të ditur se Komisioni Evropian, në letrën që do t’u paraqitet ambasadorëve të vendeve anëtare, do të përmendë edhe emërimin e anëtarëve të Organit Rregullator për Mediat Elektronike (REM) dhe funksionalizimin e plotë të tij, reformën e kornizës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, si dhe përparimin në harmonizimin me sanksionet dhe politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, shkalla e harmonizimit të Serbisë me masat kufizuese të BE-së është 60 për qind.
Megjithatë, Serbia ende nuk është harmonizuar me sanksionet që lidhen me Rusinë, Bjellorusinë dhe Kinën.
Sa i përket politikës së vizave, sipas Komisionit Evropian, Serbia ka vendosur regjim vizash për shtetasit e katër vendeve të treta, por duhet ta bëjë këtë edhe për 12 vende të tjera, në mënyrë që të harmonizohet plotësisht me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Me këtë dokument, Komisioni Evropian synon t’i bindë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ta miratojnë hapjen e klasterit 3 për Serbinë që javën e ardhshme.










