ABAZOVIQ: ZHVILLIMI EKONOMIK NUK MUND TË FUNKSIONOJË PA SUNDIMIN E LIGJIT

Zhvillimi ekonomik nuk mund të funksionojë pa sundimin e ligjit dhe anasjelltas, tha kryeministri Dritan Abazoviq, duke shtuar se shqetësimi më i madh në këtë drejtim është veriu i vendit. Në manifestimin “Hapur me Kryeministrin”, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Mal të Zi (AmCham), Abazoviq tha se me hapjen e tregjeve të reja turistike, një pjesë e turistëve do të ridrejtohen drejt veriut. „Krahas kësaj ka edhe projekte të rëndësishme infrastrukturore, ndër të cilat është përfundimi i autostradës”, tha Abazoviq, duke shtuar se duhet të vihet në funksion edhe aeroporti në Berane. Sipas tij, realizimi i shumë projekteve kërkon mbështetjen e komunave lokale, të cilat ai pret të mos i pengojnë, nëse nuk mund të ndihmojnë. Kryeministri Abazoviq tha gjithashtu se qeveria aktuale do të jetë më e hapura nga të gjitha deri më tani dhe se do të jetë gjithmonë e gatshme për dialog. Ai tha se Mali i Zi asnjëherë nuk ka qenë më afër Bashkimit Evropian (BE), se kanë filluar bisedimet me të gjithë investitorët në Mal të Zi dhe se kushdo që dëshiron të punojë do të ketë mbështetje. Kur bëhet fjalë për politikën tatimore, Abazoviq beson se Mali i Zi duhet të ketë norma tatimore tërheqëse për të tërhequr investime të huaja. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Mal të Zi, Judy Raising Reinke, tha se është e rëndësishme që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat. “Është e rëndësishme që qeveria dhe sektori privat të kenë një dialog të hapur. Ky bashkëpunim ndërmjet Odës Amerikane dhe Qeverisë do të përmirësojë klimën e biznesit në Mal të Zi,” tha Raising Reinke. Kur është fjala për punën e qeverisë së re, ajo ka deklaruar se është e inkurajuar nga ajo që sheh dhe dëgjon. Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane të Malit të Zi, Marko Miroçeviq, tha se një mjedis transparent dhe biznesor, me sundim të ligjit, mund të tërheqë investitorë të rinj.

SHARE