Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se partitë politike kanë vetëm edhe një ditë afat për të deklaruar pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe për të njoftuar për formimin e koalicioneve, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTK se deri më 6 maj 2026 në ora 12:00, institucioni ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, mospjesëmarrjen nga 4 parti, si dhe një koalicion të përbërë nga dy parti politike boshnjake, i quajtur “Koalicija VAKAT”.
Sipas tij, ky proces përfshin gjithsej 53 parti politike të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe periudha e deklarimit ka filluar më 1 maj, duke përfunduar më 7 maj.
Elezi ka theksuar se deri në përfundim të afatit priten edhe vendime të tjera nga partitë që ende nuk janë deklaruar.
Ai ka sqaruar se partitë që deri tani kanë njoftuar pjesëmarrjen përfshijnë një numër të madh subjektesh politike shqiptare, serbe dhe të komuniteteve tjera, ndërsa ndër partitë që kanë deklaruar mospjesëmarrjen janë disa subjekte më të vogla politike.
KQZ ka theksuar gjithashtu se ky proces i njoftimit për pjesëmarrje, mospjesëmarrje dhe koalicione është i ndarë nga procedurat tjera zgjedhore, siç janë certifikimi i subjekteve të reja politike dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë.
Sipas Elezit, afati për certifikimin e subjekteve të reja politike (koalicione, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur) ka filluar më 2 maj dhe përfundon më 10 maj, ndërsa afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë zgjat deri më 12 maj 2026 dhe bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së.
Ky proces, sipas KQZ-së, është pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme dhe synon të sigurojë transparencë dhe organizim të rregullt të garës zgjedhore.









