KOMPANIA AMERIKANE “PIECE OF CAKE” KA DHURUAR 300 MIJË DOLLARË PËR KRIJIMIN E QENDRËS SË PARË PËR FAMILJE KUJDESTARE NË MAL TË ZI

Foto: Biznis CG

Kompania amerikane “Piece of Cake”, në pronësi të biznesmenit malazez Vojin Popoviq, ka dhuruar 300 mijë dollarë për UNICEF-in me qëllim mbështetjen e krijimit të Qendrës së parë për familje kujdestare në Mal të Zi.

Kjo nismë realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografinë dhe synon përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në vend.

Sipas ministrit Damir Gutiq, krijimi i kësaj qendre është një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformave të parashikuara në Strategjinë e deinstitucionalizimit 2025–2028.

Qendra do të ofrojë mbështetje profesionale për familjet kujdestare, duke ndihmuar në uljen e numrit të fëmijëve që vendosen në institucione dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve sociale.

Aktualisht, rreth 80 fëmijë në Mal të Zi jetojnë në institucione rezidenciale, përfshirë edhe fëmijë me aftësi të kufizuara apo në kushte të vështira jetese.

UNICEF thekson se kujdesi në familje është më i favorshëm për zhvillimin e tyre dhe gjithashtu më ekonomik krahasuar me kujdesin institucional.

Partneriteti 18-mujor mes UNICEF-it dhe kompanisë “Piece of Cake” do të mundësojë krijimin e një qendre kombëtare me njësi rajonale, të cilat do të identifikojnë, trajnojnë dhe mbështesin familjet kujdestare. Ky projekt pritet të kontribuojë në kalimin gradual nga kujdesi institucional drejt atij familjar dhe në sigurimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për fëmijët pa përkujdesje prindërore.

SHARE