GJELOSHAJ: PROCEDURA E ARBITRAZHIT MES QIRAMARRËSIT TË SHËN STEFANIT DHE QEVERISË I KA KUSHTUAR MALIT TË ZI GATI SHTATË MILIONË EURO

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar në emisionin “Reflektor” në Televizionin Vijesti se procedura e arbitrazhit në Gjykatën e Londrës, e cila përfundoi me një marrëveshje pajtimi mes qeverisë dhe kompanisë “Adriatic Properties”, i ka kushtuar shtetit rreth shtatë milionë euro.

Sipas tij, kjo zgjidhje është arritur për të shmangur një dëm shumë më të madh të mundshëm për buxhetin e Malit të Zi, i cili, në rast të një vendimi të pafavorshëm, mund të arrinte në qindra milionë euro.

Gjeloshaj theksoi se ekzekutivi nuk ka dashur të marrë rrezikun e pritjes së vendimit përfundimtar të gjykatës së arbitrazhit në Londër dhe se marrëveshja është konsideruar zgjidhja më e sigurt në rrethanat ekzistuese.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Lëvizjes Qytetare URA dhe anëtari i Këshillit të Komunës Lokale të Shën Stefanit, Bllazho Ragjenoviq, ka përsëritur në të njëjtin emision se çështja duhet të trajtohet nga Prokuroria e Posaçme Shtetërore.

Sipas tij, ekzistonte pritshmëri e lartë që Mali i Zi ta fitonte këtë kontest, duke e konsideruar rastin si një mundësi për të anuluar, siç u shpreh ai, një kontratë të dëmshme për shtetin me një qiramarrës që ka shkaktuar degradim të një pasurie të mbrojtur kulturore.

Gjeloshaj gjithashtu njoftoi se i gjithë procesi i finalizimit të marrëveshjes në Londër pritet të përfundojë brenda dhjetë ditësh.

SHARE